Këtë sezon turistik, një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, shëtitorja bregdetare “Taulantia” vijon të ofrojë pamjen e një kantieri ndërtimi ku nuk punohet, ndërsa parashikohej që investimi transformues të përfundonte në muajin maj, para sezonit. Investimi prej 3 milionë eurosh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka tejkaluar afatet. Përveç vonesave, vëmendje ka tërhequr edhe koncepti i projektit, i hartuar nga një studio spanjolle arkitekture. Struktura prej betoni, 215 metra e gjatë, për projektuesit është një hapësirë dekorative që ofron hije, ndërsa qytetarët ndajnë qëndrime të ndryshme. Disa e vlerësojnë ndërhyrjen, po shumë të tjerë e kritikojnë se po betonizon bregdetin dhe sjell elemente të njohura në kultura të tjera.