Atë që nuk e bëri dot Open Balkan, e bëri Procesi i Berlinit i nisur në 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, e që sot, në sfondin e luftës në Ukrainë dhe vëmendjes së ripërtërirë të Europës për Ballkanin Perëndimor, përjeton një dimension të ri, mjaft më konkret. Nisma e rizgjuar prej shefit të ekzekutivit gjerman, Olaf Scholz synon rezultate të prekshme, dhe në kryeqytetin gjerman, ky mesazh u përcoll qartë me nënshkrimin e tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë që parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe dhe kualifikimeve për tri profesione: mjekët, arkitektët dhe dentistët.