Bashkimi Evropian ka sanksionuar gazetarin irlandez, Chay Bowes, (Çei bauss), si propagandist të dyshuar të qeverisë ruse. Përfshirja e tij në listën “e zezë” të BE-së u njoftua nga ministrat e Jashtëm të unionit, gjatë takimit të mbajtur në Bruksel, të hënën, ku theksuan se janë sanksionuar në total 113 persona dhe entitete, lidhur me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. Gazetari irlandez, Chay Bowes, është një emër i njohur edhe për Shqipërinë, pasi ka mbështetur protestat e Tiranës, që vijojnë prej muajsh. Lidhur me sanksionimin e tij nga Bashkimi Evropian ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë publikon disa postime të gazetarit irlandez nga tubimet e Tiranës, të bëra gjatë muajit tetor, kur protesta përshkallëzoi në dhunë e përplasje. Gazetari postonte në rrjetet sociale pamje të dhunës nga bulevardi kryesor i Tiranës, shoqëruar me komentin se “mijëra njerëz kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama”, ndërsa në reagimin e tij, ky i fundit e cilëson “një kloun të paguar nga Rusia”.