Kryeministri Edi Rama zhvilloi më herët një bashkëbisedim me një grup prindërish të fëmijëve me aftësi ndryshe, ku në fokus ishte forcimi i mbështetjes për këta fëmijë në sistemin arsimor dhe më gjerë. Gjatë takimit u diskutua për krijimin e Këshillit Kombëtar për Fëmijët me Aftësi Ndryshe, si një mekanizëm për përfaqësimin dhe adresimin e nevojave të tyre. Një tjetër çështje e diskutuar ishte fuqizimi i sistemit të mësuesve ndihmës, me synim rritjen e mbështetjes që u ofrohet nxënësve me aftësi ndryshe gjatë procesit mësimor. Bashkëbisedimi u përqendrua edhe në nevojën për masa të tjera mbështetëse për fëmijët dhe familjet e tyre, me qëllim përmirësimin e përfshirjes dhe mundësive të barabarta në arsim.