Mbështetës të Julian Assange demonstronin sot para Gjykatës së Lartë e cila i dha të drejtë qeverisë së SHBA për ekstradimin atje të kreut të rrjetit WikiLeaks. Gjykata britanike tha se bazonte vendimin e saj në garancitë e dhëna nga pala amerikane se i akuzuari nuk do të mbahej në regjim të rëndë para-gjyqësor. Stella Moris, gruaja e themeluesit të rrjetit të demaskimit të abuzimeve të ushtrisë së SHBA, tha se do të apelojë vendimin. “Si mund të jetë e drejtë kjo, të ekstradohet Julian tamam në vendin që komplotoi për vrasjen e tij?” tha Moris. Grupi i të drejtave Amnesty International e quajti atë ‘tjetërsim i drejtësisë’. “Nëse ekstradohet në SHBA ai do të gjykohet sipas Ligjit të Spiunazhit dhe rrezikon abuzim të drejtave të njeriut që arrijnë deri në torturë”, tha Amnesty International.