Banorë të prekur nga projekti TID për rijetëzimin e qendrës historike të Durrësit u mblodhën sërish këtë të mërkurë para Bashkisë së qytetit, duke kërkuar sqarime dhe transparencë mbi ecurinë e zbatimit të projektit. Edhe këtë herë ata kërkuan takim me kryetaren e bashkisë, por u pritën nga drejtuesja ligjore e institucionit, Alneida Rroshi. Pas takimit, përfaqësuesja e banorëve, Entela Koja, tha se sipas informacionit të marrë po kryhet një proces i plotë rishikimi i objekteve dhe verifikimi i statusit të tyre ligjor, përpara vijimit të procedurave për shpronësim apo ndryshim destinacioni të pronave.