Rritja e pranisë së një peshku shumë helmues në ujërat shqiptare, veçanërisht në Gjirin e Vlorës, po kthehet në shqetësim serioz për peshkatarët dhe ekspertët e mjedisit. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “peshku top”, një specie e njohur për përmbajtjen e lartë të toksinave, që mund të jetë fatale për njeriun nëse konsumohet. Sipas specialistit të zonave të mbrojtura, Nexhip Hysolakoj vetëm gjatë 2-3 muajve të fundit janë regjistruar tre raste kapjesh, ndërsa vihet re edhe një rritje e dukshme në përmasa.