Tre shkolla në bashkinë e Klosit po i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë sipas parametrave të efiçencës së energjisë. Shkolla e Mesme e Bashkuar në Xibër të Klosit është një prej tyre, e cila u vizitua edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. “Shkolla e re do të ofrojë kushtet optimale për të gjithë nxënësit, pasi përveç përmirësimit të infrastrukturës do të pajiset edhe me kaldajë” “Ky është projekti i parë pilot, por Agjencia për Efiçencën e Energjisë në mënyrë indirekte ka qenë edhe pjesë e fondacioneve të huaja, kryesisht dhe për zonën e Dibrës.” Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se me mbështetjen e partnerëve do të vijojë ndërhyrjet edhe në shkollat e tjera të vendit. “Unë kam pasur një takim ditët e fundit me drejtoreshën rajonale të UNDP-së. Diçka që ata kanë nënvizuar dhe më kanë garantuar që do të vazhdojnë të na japin suport financiar me paketat e granteve është për pjesën e efiçencës së energjisë. Sigurisht duke pasur gjithmonë parimin që këto paketa duhet të shpenzohen në ndërtesa shtetërore, siç janë shkollat, kopshtet apo spitalet”.