Pas interesimit të Top Channel Ministria e financave ka reaguar në lidhje me kërkesën për zhbllokimin e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke sqaruar se pagat nuk janë bllokuar, por se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht mbi një metodologji të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi. Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, Malaj kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik, pasi ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas Ministrit të Financave, vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshimet ligjore përkatëse, të cilat i janë lënë për miratim Kuvendit.