Në lartësitë mbi 1400 metra, mes Novosejt, Shishtavecit dhe Borjes, shtrihen qindra hektarë të pyllëzuar me mështeknë, pishë dhe akacie. Një investim i natyrës, por mbi të gjitha i punës së njeriut, që prej dekadash ka transformuar peizazhin e kësaj zone malore. Mes ngastrave me mështeknë takojmë Agim Nokën, Kryetar i Shoqatës së Pyjeve dhe Kullotave në Shishtavec, i cili kujdeset vazhdimisht për ruajtjen dhe zhvillimin e tyre.