Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e sistemin e integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop”, në Qafë-Thanë. Ky sistem synon të lehtësojë procedurat dhe të shkurtojë kohën e pritjes për qytetarët që kalojnë kufirin mes dy vendeve. Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi këtë si një hap konkret në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se transformimi do t'u shërbejë miliona njerëzve që kalojnë në këtë pikë kufitare. Ai u ndal edhe te hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit, përfshirë avancimin e Korridorit VIII dhe synimin për të kaluar gradualisht drejt një sistemi ku kontrollet kufitare të mos jenë më të nevojshme, në kuadër të rrugëtimit të përbashkët drejt Bashkimit Europian.