Temperaturat e larta të ditëve të fundit po vënë në provë jo vetëm banorët, por edhe mijëra turistët që vizitojnë çdo ditë Gjirokastrën. Nën vapën përvëluese, çadrat, kapelet dhe shishet e ujit janë kthyer në mjetet e vetme për t’u mbrojtur nga i nxehti. Por, ndryshe nga shumë qytete turistike, Gjirokastra nuk ofron asnjë çezmë publike funksionale ku qytetarët dhe vizitorët të mund të pijnë ujë apo të mbushin një shishe. Edhe çezmat e vendosura në sheshin “Çerçiz Topulli”, prej kohësh janë jashtë funksionit, duke lënë një boshllëk të dukshëm në shërbimet publike.