Kanë nisur mbremjen e djeshme festimet në nderim të Shën Kozmait të Etolisë, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kalendarit fetar në Myzeqe, që çdo vit mbledh në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas besimtarë dhe pelegrinë nga i gjithë vendi për t'u lutur dhe për të nderuar kujtimin e shenjtorit. Festimet kulmojnë sot, më 24 gusht, në ditën kushtuar Shën Kozmait të Etolisë dhe përkujtimit të martirizimit të tij. Në Manastir do të zhvillohen ceremonitë kryesore fetare, ndërsa pritet pjesëmarrja e drejtuesve të lartë të Kishës Ortodokse, klerikëve dhe një numri të madh besimtarësh nga zona të ndryshme të vendit.