Parku Arkeologjik Bylis-Klos po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Delegacioni i BE-së në Shqipëri njoftoi se, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe autoritetet vendore, kanë nisur punimet në këtë park, që sipas unionit, është një nga sitet me vlera të veçanta historike dhe kulturore. Në nisje të punimeve, e pranishme ka qenë dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila ka vlerësuar historinë dhe bukurinë e Bylisit. “Historia dhe bukuria e Bylisit të lënë mbresa të veçanta. Sot nis një projekt i rëndësishëm si për parkun arkeologjik, ashtu edhe për komunitetin përreth. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, siti do të mbrohet më mirë dhe do të bëhet më i aksesueshëm për vizitorët. Besojmë se këto ndërhyrje do të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe në krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillimin e turizmit lokal”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shkruan se investimi në Parkun Arkeologjik të Bylisit do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të zonës.