Disa orë pas transferimit në Burgun e Fierit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ngre shqetësimin se është vendosur në një ambient izolimi me tre vrasës serialë të dënuar me burgim të përjetshëm. Në një letër të shkruar nga qelia e burgut të Fierit, të bërë publike nga avokati i tij, Plarent Ndreca, Veliaj thekson se është pa ujë e drita, pa kujdes mjekësor dhe i është refuzuar ushqimi e bisedat telefonike me familjarët. Në orët e mbrëmjes, kryebashkiaku Veliaj u vizitua në burg nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, dhe avokati i tij, Ndreca, ku ky i fundit e cilësoi transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit si të paligjshëm.