Siguria ushqimore vazhdon të mbetet një sfidë për bizneset shqiptare. Vetëm disa orë më parë inspektorët e AKU Tiranë kanë bllokuar 738 kg fileto dhe gjoks pule pranë biznesit KMY në Tiranë. Siç shihet edhe në ekran, mishi i pulës gjatë procesit të ngrirjes dhe shkrirjes qendron në tokë, magazinimi i tij është bërë pranë një ambienti që ka prezencë myku dhe ndryshku. Nëse ky produkt nuk do të ishte bllokuar nga inspektorët e ushqimit, ai do të shkonte te tryeza e konsumatorëve si mish i sigurt. Për këtë arsye AKU Tiranë, ka bllokuar aktivitetin e bizneset KMY deri në plotësimin e kushteve higjeno-sanitare. Një tjetër aksion është realizuar në operatorin e biznesit të ushqimit “Bonum”, ku kushtet e baxhos ku prodhohej djathi ishin jashte standardit higjeno-sanitar, muret me lagështirë, dhe myk. Ndaj kompanisë Bonum, AKU vendosi masë administrative me gjobë 300 mijë lekë të reja dhe bllokim të produktit. Pas këtyre veprimeve, produktet e pules të kompanisë KMY dhe djathi Bonum, do të asgjesohen. Inspektorët e AKU-së njoftuan se gjatë kontrollit në baxhon e kompanisë Bonum kanë bllokuar një sasi prej rreth 329 kilogramë djathë të bardhë dhie, që ishte në gjendje në këto ambiente.