Nëse Oligarkët e Rusisë, nuk po dridheshin ende nën kostumet e tyre firmato dhe këpucët e lëkurës italiane, me të gjitha gjasat ata po dridhen tani... Në fjalimin e parë drejtuar kombit amerikan, të martën e 1 Marsit, Presidenti Joe Biden, iu drejtua njerëzve të presidentit Vladimir Putin duke u thënë se SHBA dhe aleatët e saj do të konfiskojnë jahtet e tyre, apartamentet e tyre luksoze, avionët e tyre privatë dhe gjithcka tjetër që kanë ata... Mesazhi nënvizoi se sa shumë po dridhet toka nën këmbët e Oligarkëve Rusë, një klasë biznesmenësh që mblodhën miliarda dollarë pasuri falë lidhjeve të tyre me Kremlinin në vitet 1990, duke rrëmuar në asetet e ish Bashkimit Sovjetik. Që nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Putinit, qeveritë perëndimore kanë tentuar të ngrijnë asetet e oligarkëve rusë, përfshirë ato të Vladimir Putinit si edhe ti pengojnë ata të udhëtojnë. Qëllimi, është afatgjatë: Sanksionet veprojnë jo vetëm si ndëshkim për klasën sunduese në rusi, por edhe si një mekanizëm për ta detyruar Putinin të tërhiqet. Mund të themi ndërkohë se sanksionet, të paktën deri më tani, ia kanë dalë mbanë me sukses të tërheqin vëmendjen e oligarkëve.