Bashkëpunëtor i nazistëve, spekulator, nxitës i shkëmbimit të popullsisë: Cila është e vërteta për pretendimet lidhur me miliarderin dhe filantropin George Soros? Ai është një nga drejtuesit e "prapaskenave botërore". Ai financon një rrjet global bashkëpunëtorësh. që e quajnë veten gazetarë, aktivistë të shoqërisë civilë ose aktivistë të të drejtave të njeriut - por që në të vërtetë ata janë agjentët e tij. Ai gjithashtu i drejton si marioneta politikanë të rëndësishëm dhe me ndikim. Qëllimi i tij është t'u vjedhë popujve të tërë të identitetin e tyre kulturor dhe kombëtar, të skllavërojë vende të tëra dhe t'i detyrojë të qëndrojnë në skllavëri të përjetshme. Me spekulimet e tij ai ka zhytur tashmë miliona vetë në katastrofë. Dhe tani ai planifikon një ndryshim të popullsisë në Evropë - vendasit e krishterë duhet të zëvendësohen nga migrantët myslimanë. Kushdo që e kundërshton këtë plan përballet me fushata ndërkombëtare si gënjeshtar dhe shpifës. Njeriu, për të cilin thuhen të gjitha këto është miliarderi dhe filantropi me origjinë hungarezo-hebreje George Soros, i cili festoon më 12 gusht nëntëdhjetë e një vjetorin. Që nga mesi i viteve 1980, ai ka shpenzuar miliarda dollarë për mbështjetjen e demokracisë dhe të projekteve edukative përmes fondacionit të tij "Shoqëria e Hapur". Dhe ka bërë shumë armiq në mbarë botën. Teoritë konspirative për Sorosin as nuk do t'ia vlenin të përmendeshin, nëse ato do të ngriheshin vetëm nga ekstremistët e ekstremit të djathtë që kanë pak ithtarë. Por pretendimet e renditura më lart ngrihen prej vetë Viktor Orbánit, kryeministrit nominalisht demokrat të qeverisë së një vendi të BE-së.