Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin. Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 130 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi F. M., banues në Tiranë dhe është proceduar penalisht shtetasi U. A., pasi nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar.