Mëngjeset e Edi Ramës vijojnë të nisin me printimin e letrave për dialog poshtë zyrës së tij ndërkohë që të shtunën protestuesit kanë njoftuar një tjetër protestë kombëtare dhe ende nuk ka asnjë sinjal që palët të ulen përballë njëra-tjetrës. Edi Rama nga ana tjetër pavarësisht se nuk i ka përballë protestuesit vendos të hedhë hapin e parë të madh të ndryshimit duke sjellë një paketë të re fiskale që sipas tij erdhi si reflektim nga protestat dhe pritet të përmirësojë ekuilibrat ekonomikë të studentëve dhe familjeve shqiptare. Sakaq, Partia Demokratike nuk pranon zgjidhjen e Edi Ramës duke e konsideruar atë si shkaktarin e problemit dhe duke kërkuar largimin e tij. Edhe sot në seancë pavarësisht tensioneve që shoqëruan mbledhjen e grupit parlamentar për çështjen Veliaj, Edi Rama vërtetoi dhe njehëre se shumica e tij në Kuvend vijon të jetë e palëkundur. A e kaloi maxhoranca dhe Edi Rama sprovën e tij të dytë me protestat?