Ditët e fundit në Rripin e Gazës po mbërrijnë sërish sasi të mëdha ndihmash për popullsinë e rrezikuar nga uria. Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e konsideron këtë një hap të parë dhe do që në bashkëpunim me vende të tjera të krijohet një urë ajrore për transportimin e ndihmave. Qeveria e Gjermanisë në sfondin e gjendjes emergjente humanitare do të krijojë një urë ajrore për dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës, tha kancelari gjerman pas një mbledhjeje të kabinetit të sigurisë, duke saktësuar se kjo nismë do të zbatohet bashkë me Jordaninë. Edhe Franca dhe Britania e Madhe, sipas tij, janë të gatshme ta mbështesin urën ajrore për ndihma me ushqime dhe materiale mjekësore. Kjo, tha ai, është në fakt vetëm "një ndihmë e vogël" për njerëzit në Gazë, por një kontribut që qeveria gjermane do ta japë. "Ne duam që sa më shpejt të jetë e mundur të marrin fund vuajtjet humanitare për popullsinë civile në Gazë", tha kancelari. Lejimin së fundi nga Izraeli për kalimin e autokolonave me ndihma dhe hedhjen e ndihmave nga ajri, kancelari e konsideroi si një "hap i parë i rëndësishëm". Tani duhet të pasojnë hapa të mëtejshëm, tha Merz. "Izraeli duhet menjëherë të përmirësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qendrueshme gjendjen katastrofale humanitare në Gazë." Kancelari ritheksoi kërkesën e qeverisë gjermane për një armëpushim të qendrueshëm dhe i tërhoqi vëmendjen Izraelit, se nuk duhet të ketë dëbime nga Rripi i Gazës dhe as hapa të mëtejshme për aneksim të territoreve në bregun Perëndimor. Ndërkohë për qeverinë gjermane nuk shtrohet ende mundësia e një njohjeje të një shteti palestinez, cka Franca e ka paralajmëruar tashmë. Ky nuk është "një hap i parë, por ndoshta një ndër hapat përfundimtar" në rrugën e zgjidhjes me dy shtete, tha kancelari gjerman.