Gjakmarrja si "veçori' kombëtare dhe ngatërresa që i bëhet me hakmarrjen
20/09/2012
Gjakmarrja si veçori' kombëtare dhe ngatërresa që i bëhet me hakmarrjen
MUSTAFA NANO - Ka një dukuri që na dallon më së pari e më së shumti në Europën e sotme; madje, edhe në Ballkanin e sotëm. Është gjakmarrja. Ekzistenca e gjakmarrjes na turpëron si shoqëri, na nxjerr në një dritë të keqe, e na bën të na tregojnë me gisht si shoqëri tepër e prapambetur.

Shumica e gazetarëve të huaj që e vizitojnë këtë vendin tonë e zgjedhin (ende pa u nisur “me shërbim”) gjakmarrjen si çështjen më të parë, tek e cila do të fokusohen. Janë me qindra shkrimet që janë bërë gjatë dy dekadave të fundit në gazetat e botës, në të cilat autorët janë kapur pas këtij fenomeni, që neve të këtushmëve na mban shumë larg nga moderniteti dhe atyre ua bën Shqipërinë tepër mesjetare.

Në Shqipërinë e këtyre kohëve, ashtu si në Shqipërinë e 100 viteve të fundit, ka pasur gjithmonë ngjarje e zhvillime, përballë të cilave të tjerët kanë mbetur të tronditur e të pagojë. Por nuk besohet se mund të ketë shock më të madh sesa gjakmarrja në vitin 2012. Ndërsa vetë ne tanimë jemi mësuar në një farë mënyre, e nuk dimë të shock-ohemi më. Kemi ditur andej nga fillimi i viteve ‘90, kur gjakmarrja zuri të rishfaqej pas një paranteze të shkurtër gjatë, dhe për shkak të, regjimit komunist, por më pas, nën trysninë e krimeve të njëpasnjëshme me motiv gjakmarrjen, na u bë si një gjë e zakontë. Sot, një vrasje për gjakmarrje nuk ka ‘tërheqjen’ që kish një dekadë më parë. Nëse në vitin 2000 mund t’i shkonte dikujt mendja për të bërë një protestë kundër gjakmarrjes (kam marrë pjesë vetë në një protestë të tillë në Shkodër), sot duket sikur s’ka njeri motiv të organizojë protesta të tilla.

Më ka çuditur në këtë histori heshtja e politikës përballë kësaj dukurie. Gazetarët apo intelektualë të tjerë publikë, kush më shumë e kush më pak, shkruajnë herë pas here dhe e denoncojnë këtë dukuri (vetëm gjatë dy javëve të fundit kanë bërë shkrime lidhur me gjakmarrjen Elsa Ballauri, veprimtare e shoqërisë civile, Gjergj Meta, prift katolik, Fehmi Abdiu, jurist, Brizida Gjikondi, publiciste, etj.),  por politikanët nuk kanë dhënë asnjë shenjë apo provë se kanë qenë e janë të shqetësuar prej shtrirjes së gjakmarrjes. Merrni Kryeministrin Berisha, i cili për çfarë nuk ka folur gjatë 22 viteve të fundit, por një qëndrim lidhur me gjakmarrjen mezi ia ka nxënë goja në ndonjë rast. Dje ka qenë hera e dytë a e tretë që ai ka folur mbi këtë çështje, dhe me siguri është cytur nga presioni i Brukselit të skandalizuar nga shtrirja e fenomenit, që për eurokratët është dëshmia më flagrante e mungesës së shtetit të së drejtës; madje, edhe më keq se kaq, dëshmia flagrante e mungesës së shtetit (jo të së drejtës). Ai u duk i cytur nga vrasja “për gjakmarrje” e Maries 16-vjeçare nga Dukagjini, por nuk besohet se ka qenë ky krim medemek kanunor që e ka bërë atë të flasë për gjakmarrjen. Në Shqipëri ka pasur vazhdimisht krime të tmerrshme me motive kanunore, dhe ai nuk ka folur as si President, as si i pari i opozitës, e tani as si Kryeministër.

Por dje bëri një ngatërresë si të paqëllimshme. Nuk foli për gjakmarrje, por foli për hakmarrje. Ja pasazhi që ka të bëjë me këtë argument: “Vrasja për hakmarrje do marrë ndëshkimin maksimal. Nuk shkohet përpara me këtë trashëgimi thellësisht negative. Sot, ata të cilët vrasin për hakmarrje, dëshmojnë se udhëhiqen nga demonë të urrejtjes dhe egërsisë njerëzore”. Dhe vetëm në fund, ai e zëvendëson termin ‘hakmarrje’ me termin ‘gjakmarrje’: “Ka një rënie drastike, shumë të madhe të vrasjeve për gjakmarrje”.

Është një ngatërresë që e bëjnë shumë vetë në Shqipëri, por është çudi që e bën Berisha. Hakmarrja nuk është një ‘tabiat’ shqiptarësh. Vrasje për hakmarrje bëhen kudo. Janë të panumërt filmat e Hollywood-it, që kanë për fabul hakmarrjen. Prandaj, fraza e Berishës se “vrasja për hakmarrje do marrë ndëshkimin maksimal” është pa kuptim. Së pari, ngaqë vrasjet për hakmarrje nuk janë një problem në Shqipëri; ose le të themi që janë problem po aq sa janë edhe në një numër vendesh të tjera. Së dyti, ngaqë bëhet ajo ngatërresa, për të cilën fola pak më sipër.

Jo çdo hakmarrje është gjakmarrje. Një vrasje për gjakmarrje ndryshon cilësisht nga një vrasje për hakmarrje. Ndryshon cilësisht për të paktën dy arsye. Së pari, një vrasje për hakmarrje bëhet, dhe historia mbyllet aty. Historia mbyllet aty jo vetëm ngaqë zgjidhjen e ‘konfliktit’ e bën shteti; shpesh, edhe kur shteti “nuk ia thotë për të zgjidhur konfliktet ashtu si duhet”, historia mbyllet aty në pritje që shteti të veprojë ashtu si duhet.

Ndërsa vrasja për gjakmarrje është ndryshe; ajo nuk mbyllet aty; ajo apelon për gjak tjetër, dhe asnjë konflikt nuk lihet për t’u zgjidhur nga shteti, edhe në rastin kur shteti ekziston (shumë vetë janë të sigurt se një shtet i konsoliduar dhe një sistem funksional drejtësie do bëjnë që gjakmarrja të mos ekzistojë, por unë personalisht jam i idesë se kaq nuk mjafton; dhe kjo ka të bëjë me dallimin e dytë midis hakmarrjes e gjakmarrjes).

Së dyti, vrasja për hakmarrje është pasojë e një vendimi apo vullneti individual. Ndërsa vrasja për gjakmarrje kryhet nga një individ, por nuk është tamam ky që vendos; ky është thjesht këmbëza e një mekanizmi vrastar kulturor, që ngrihet kryesisht mbi Kanunin (më saktë, Kanunet). Në këtë kuptim, individi që vret për gjakmarrje është viktimë, gjithashtu. Është viktimë e një kulture të caktuar, e mendësive të caktuara, e një morali të caktuar publik a kolektiv, e një ethosi të caktuar, të cilët të shtyjnë të marrësh gjak, të justifikojnë në rastin kur ti merr gjak, madje të nderojnë për vrasjen që ti bën, apo të bëjnë të ndihesh me turp në rastin kur ti nuk e bën atë vrasje. Gjakmarrja është një fenomen kulturor. Ndërsa hakmarrja është një pulsion i egër human.

Për këto dy arsye (ndoshta dhe të tjera), të bësh dallimin mes gjakmarrjes e hakmarrjes është punë e mundim fëmijësh, dhe është bajagi e pakuptimtë të dëgjosh Kryeministrin që, krejt pa u menduar (apo duke e menduar mirë?) merr njërën për tjetrën.

Gazeta "Shqip"





comments powered by Disqus

VLERËSO KËTË LAJM

KRYESORET




LAJME TE NGJASHME



SONDAZH

Mendoni që fuqia blerëse ka rënë apo është rritur krahasuar me një vit më parë?


Duke llogaritur rezultatet. Ju lutem prisni...
në top channel »
MË TË LEXUARAT
KËMBIMI VALUTOR
  Blihet Shitet
EUR 139.8 140.3
USD 114 114.8
GBP 178 178.5
CHF 116 116.5
TREGJE DHE BURSA
0.00
0.00
0.00%
NASDAQ 4316.075
+57.637
+1.35%
S&P 500 1904.01
+17.25
+0.91%
FTSE 100 6322.53
+55.46
+0.88%
FTSE MIB 18966.939
+426.840
+2.30%
CAC 40 4050.69
+59.45
+1.49%
DAX 8807.70
+89.94
+1.03%
HANG SENG 23088.58
+18.32
+0.08%
Nikkei 225 14804.28
-306.95
-2.03%
S&P/ASX 100 4432.800
+4.900
+0.11%




Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.