“E kthen Shqipërinë në ‘fermë uterusi’ për grupet kriminale”/ Tritan Shehu, i ashpër me ligjn për nënat surrogato

25/04/2024 16:49

Është treguar i ashpër mjeku anestezist Tritan Shehu, në lidhje me projektligjin qe është hedhur për diskutim mbi shëndetin riprodhues, por mjekët gjinekologë e konsiderojnë të domosdoshëm, pasi përcakton rregullat për procedura që kanë avancuar me zhvillimin e teknologjisë.

Profesor Tritan Sheu i konsideron vrasëse dy kolonat e rëndësishme të këtij projektligji, nënat surrogato dhe rritjen e moshës së abortit.

“Do ta kthejë Shqipërinë në fermë uterusesh që do të përdoret nga grupe mafiozësh shqiptarë dhe ndërkombëtare”, thotë ai.

Mjekët kanë një këndvështrim tjetër, duke parë anët pozitive të një ligji rregullator.

“Konform ndryshimeve demografike, ndryshimeve shoqërore që tashmë janë evidente edhe në Shqipëri, duhej parë në një këndvështrim të ri, edhe seksualiteti në moshën më të hershme, për t’u mbrojtur dhe për t’u bërë sa më i sigurt te adoleshentët. Por jo vetëm, në vazhdimësi, përfshirë këtu ndryshimet në ligjin e abortit dhe të riprodhimit të asistuar. Kjo shoqëri ka kërkesa të mëdha dhe i do në kohën e duhur, edhe familjen më të gjerë, fëmijët, prandaj një moment i mirë është për ta ligjëruar”, shprehet Mirela Rista, mjeke gjinekologe.

Aktualisht, projektligji është në fazë konsultimi, i cili mund të ndryshojë duke i shtuar apo i hequr disa pika .

Top Channel