Papa Leoni tha të dielën se Zoti i refuzon lutjet e udhëheqësve që fillojnë luftëra dhe i kanë "duart me gjak", në komente jashtëzakonisht të forta ndërsa lufta në Iran hyri në muajin e saj të dytë. Duke iu drejtuar dhjetëra mijëra njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit, të Dielën e Palmës, që hap javën më të shenjtë të vitit në prag të Pashkëve për 1.4 miliardë katolikët e botës, Papa tha se Jezusi nuk mund të përdoret për të justifikuar asnjë luftë. "Ky është Zoti ynë: Jezusi, Mbreti i Paqes, i cili e refuzon luftën, të cilin askush nuk mund ta përdorë për të justifikuar luftën", u tha Leoni, papa i parë amerikan, turmave në shesh. "Jezusi nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë, por i refuzon ato, duke thënë: 'Edhe pse bëni shumë lutje, unë nuk do t'i dëgjoj: duart tuaja janë plot me gjak'", tha ai, duke cituar një pasazh nga bibla. Leoni nuk përmendi konkretisht ndonjë udhëheqës botëror, por ai ka shtuar kritikat ndaj luftës në Iran në javët e fundit. Papa, i cili njihet për zgjedhjen e kujdesshme të fjalëve, ka bërë vazhdimisht thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konflikt dhe tha të hënën se sulmet ajrore ushtarake duhet të ndalohen. Disa zyrtarë amerikanë kanë përdorur gjuhën e krishterë për të justifikuar sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.