Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 25 tetor, konsiderohen një sfidë e rëndësishme për pushtetin e Aleksandar Vuçiçit, pas vitesh dominimi politik dhe protestash masive kundër qeverisë, raporton Radio Evropa e Lirë (REL). Partia Përparimtare Serbe (SNS), në pushtet që nga viti 2012, synon të ruajë shumicën parlamentare, ndërsa sfiduesi kryesor është lëvizja studentore, e cila u fuqizua pas protestave kundër korrupsionit të nisura pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona më 1 nëntor 2024. Sipas analistëve të cituar nga REL-i, gara paraqitet më e paparashikueshme se zgjedhjet e mëparshme. Lëvizja studentore, e përbërë kryesisht nga figura jopartiake dhe profesorë universitarë, e ka përqendruar fushatën te lufta kundër korrupsionit dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.