Forcat ukrainase janë tërhequr nga Lisiçansku, duke bërë që Rusia të pretendojë se ka marrë kontrollin e plotë të rajonit lindor të Luhanskut. Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se forcat e shtetit të tij do të rimarrin territorin e humbur. “Nëse komandantët e ushtrisë sonë tërheqin njerëzit nga disa pika në frontin e luftës, ku armiku ka avantazh të madh në fuqinë e zjarrit, dhe kjo vlen edhe për Lisiçasnkun, do të thotë vetëm një gjë: ata do të kthehen falë taktikave tona, falën rritjes së furnizimeve me armë moderne”, tha ai në fjalimin e përnatshëm video. Pasi dështoi që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, Rusia ka përqendruar ushtrinë e saj në lindje të Ukrainës dhe po synon të marrë kontrollin e Donbasit që përbëhet nga rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut.