Një ish-profesoreshë e shkollës elitare të Partisë Komuniste në Kinë drejtoi një qortim të paprecedent ndaj liderit Xi Jinping, duke e akuzuar atë për “vrasjen e një vendi”, ndërsa pretendon se gjithmonë e më shumë njerëz duan të largohen prej partisë në pushtet. Cai Xia, një pedagoge e shquar që jepte mësim në shkollën e zyrtarëve të lartë, u përjashtua nga partia të hënën, hap ky që pasoi faktin se regjistrimi audio i vërejtjeve të saj ndaj kreut të shtetit përfundoi ne muajin qershor në internet. Sipas drejtuesve të shkollës, Cai, e cila ishte pjesë e këtij institucioni që në vitin 1992, kishte bërë komente që “dëmtuan reputacionin e vendit” dhe ishin plot “probleme serioze politike”. Në intervistën e saj të parë për mediat e huaja pas dëbimit nga partia, Cai tha për “The Guardian” se ishte “e lumtur që po largohej”.