Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi, duket se ishte e paralajmëruar. Inside Story ka sjellë të gjithë dinamikën e ngjarjes tragjike dhe prova që dëshmojnë se sistemi gjyqësor në vend ëhstë futur në një kolaps, ku viktima nuk janë vetëm palët në proces, por edhe vetë gjyqtarët. Gjykata e Apelit e cila u shndërruar në një skenë krimi, është një godinë pa salla të mjaftueshme për të përballuar numrin e dosjeve të mëdha që trajton, nuk ofron as siguri dhe as kushte minimale pune. Kontrolli i sigurisë në hyrje ishte formal. Detektori metalik i dha sinjale se personi në fjalë kishte mjete metalike, por roja i sigurisë, për shkak të ngarkesës në atë institucion e neglizhoi, pasi detektori i Gjykatës së Apelit sinjalizon për pjesën më të madhe të personave që kalojnë aty, ku dikush ka rripin, dhe dikush aksesorë të ndryshëm metalikë.