Sistemi financiar shqiptar dhe kuadri rregullator i tij kanë bërë përmirësime, sipas vlerësimit të fundit të kryer nga ekipi i përbashkët i ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Përfaqësuesit e tyre përmbyllën programin e vlerësimit, ku theksojnë se Shqipëria ka institucione financiare më të shëndetshme, një sistem më të larmishëm, infrastrukturë pagesash të modernizuar dhe zgjerim të risive teknologjike në ofrimin e produkteve financiare. Megjithatë, ekspertët vlerësojne se për shkak të të sfidave të së ardhmes, nevojitet rritja e kontributit të sistemit financiar në ekonominë reale të vendit, përmes huadhënies dhe përmirësim të kapaciteteve në drejtim të administrimit të rreziqeve. Misioni i FMN dhe BB u takua me Guvernatorin Gent Sejko, ku lanë edhe disa detyra dhe rekomandime për kuadrin rregullator, përfshirë këtu edhe në legjislacionin e Bankës së Shqipërisë dhe aktet nënligjore që lidhen me veprimtarinë e monedhave digjitale.