Presidenti amerikan Donald Trump, tha të mërkurën se anijet dhe avionët ushtarakë të SHBA-së do të qëndrojnë pranë Iranit dhe kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të "qëllojnë" përsëri nëse Teherani nuk i përmbahet plotësisht marrëveshjes së arritur me Uashingtonin. "Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak i SHBA-së, me municione dhe armë shtesë... do të qëndrojnë në dhe përreth Iranit, derisa marrëveshja e arritur të përmbushet plotësisht", tha Trump në platformën e tij Truth Social. "Nëse për ndonjë arsye ajo nuk zbatohet, gjë që është shumë e pamundur, atëherë "fillojnë të shtënat" sërish, më të forta se ato që janë parë deri më tani", shtoi presidenti. Irani kishte thënë më herët të mërkurën se do të ishte "e paarsyeshme" të vazhdonte me bisedimet për të krijuar një marrëveshje të përhershme paqeje me Shtetet e Bashkuara pasi Izraeli goditi Libanin me sulmet e tij më të ashpra deri më tani, duke vrarë qindra njerëz. Të dyja palët duket se kanë shumë dallime në lidhje me programin bërthamor të Iranit, me Trumpin që thotë se Irani ka rënë dakord të ndalojë pasurimin e uraniumit ndërkohë që kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammed Bager Qalibaf, tha se vendi lejohej të vazhdonte pasurimin e uraniumit sipas kushteve të armëpushimit. "U ra dakord, shumë kohë më parë, dhe pavarësisht gjithë retorikës së rreme që thoshte të kundërtën: asnjë armë bërthamore për Iranin dhe Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur dhe e sigurt", shkroi Trump në Truth Social.