Bombardimet e forcave ruse po i afrohen qendrës së Kievit, ndërsa një sërë predhash vazhdojnë të bien mbi zona të banuara të kryeqytetit. Shpërthimet e fuqishme u dëgjuan të mërkurën në agim. Zyrtarët thonë se ato ishin goditje me artileri. Duket se sulmi i forcave ruse ndaj Kievit po bëhet më sistematik. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se predhat e artilerisë goditën katër ndërtesa shumë-katëshe në qytet duke shkaktuar dhjetëra të vrarë të martën. Sulmet e reja në një rajon në perëndim të Kievit, i dhanë fund një qetësie disa ditore në qytet, që kur autokolona e gjatë me mjete të blinduara ruse ishte bllokuar në afërsi të qytetit në ditët e para të luftës.