Presidenti amerikand Donald Trump ka paralajmëruar Benjamin Netanyahun të reduktojë sulmet e izraelit mbi Liban, në një përpjekje për të mbajtur gjallë marrëveshjen e armëpushimit SHBA-Iran. Kjo vjen ndërsa kryeministri izraelit tha se është gati të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Libanin, pasi nisi sulmin më të madh që nga fillimi i luftës mbi fortesën e Hezbollahut të mërkurën. “Fola me Bibin dhe ai do të ulë intensitetin. Thjesht mendoj se duhet të jemi pak më të qetë”, tha presidenti amerikan për NBC Neës. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance gjithashtu pretendoi një ditë më parë se Izraeli kishte rënë dakord të “kontrollonte veten” në Liban. Sulmet izraelite ndaj Libanit vranë më shumë se 300 njerëz vetëm të mërkurën. Por të enjten në mbrëmje Netanyahu i tha kabinetit të tij të fillonte bisedime të drejtpërdrejta me Libanin “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai tha se bisedimet erdhën pas "thirrjeve të përsëritura" nga Libani, duke shtuar se ato përqendrohen në "çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore mes Izraelit dhe fqinjit të tij". Presidenti libanez Joseph Aoun kishte thënë se "zgjidhja e vetme" është një armëpushim dhe "negociata të drejtpërdrejta" me Izraelin. SHBA më herët ka këmbëngulur se Libani nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje armëpushimi.