Senatorët demokratë në SHBA shprehën alarm të martën në lidhje me luftën në Iran, duke thënë se ishin të shqetësuar se Presidenti Donald Trump mund të vendoste forca tokësore amerikane, duke nxjerrë në pah rreziqet e larta që vijnë edhe nga mbështetja ruse për ushtrinë e Teheranit. "Ne e dimë që Rusia tashmë po ndihmon me të dhëna inteligjence, duke ia ofruar ato Iranit, dhe se ekziston një bosht me Rusinë dhe Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut që vë në rrezik më të madh Shtetet e Bashkuara dhe sigurinë tonë kombëtare", tha senatorja demokrate Jeanne Shaheen nga Neë Hampshire. Duke folur pas një informimi të klasifikuar nga zyrtarët e administratës në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit, Shaheen i bëri thirrje administratës të dërgojë zyrtarë për të dëshmuar publikisht në Kongres. Dy burime të njohura me raportet e inteligjencës amerikane kanë thënë se Rusia po i ofron Iranit të dhëna inteligjence mbi bazat dhe anijet amerikane. Shaheen dhe senatorë të tjerë thanë se një seri takimesh informuese me dyer të mbyllura nga ndihmësit e Trump i kanë lënë ata me më shumë pyetje sesa përgjigje, veçanërisht në lidhje me koston dhe kohëzgjatjen e pritshmë të luftës, dhe nëse forcat amerikane do të dërgohen në Teheran. "Duket se jemi në rrugë drejt vendosjes së trupave amerikane në terren në Iran për të arritur ndonjë nga objektivat e mundshme", u tha senatori Richard Blumenthal gazetarëve pas informimit të klasifikuar të së martës. Trump nuk e ka përjashtuar dërgimin e trupave tokësore amerikane në Iran. Republikanët e tij, të cilët kanë shumicë të vogël në të dy dhomat e Kongresit, kanë mbështetur pothuajse unanimisht strategjinë e tij për Iranin, me vetëm një numër të vogël prej tyre që shprehin dyshime për luftën.