Këshilli Bashkiak i Belshit ka kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Elbasanit, në kuadër të Reformës së re Territoriale. Në mbledhjen e kësaj të hëne, 7 këshilltarë të PD votuan kundër, ndërsa 10 këshilltarë të PS abstenuan. Votimi u shoqërua me debate mes këshilltarëve, veçanërisht për qëndrimin e përfaqësuesve të PS-së, të cilët zgjodhën të mos shpreheshin pro ose kundër propozimit. Këshilltarët e të dyja forcave politike argumentuan qëndrimin e tyre, duke theksuar potencialin e Belshit, veçanërisht në sektorin e turizmit, dhe nevojën që bashkia të vijojë të administrohet më vete.