Një task forcë do të ngrihet për të monitoruar çmimet e karburanteve në vend, pas konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit që solli shtrenjtimin e menjëhershëm të çmimit të naftës në vend. Gjë që u konsiderua abuzive nga ekspertë të fushës, pasi ecuria e çmimeve në Shqipëri do të duhet të ketë përputhje me luhatjet në bursat ndërkombëtare. Ministri i Financave, Petrit Malaj pati një takim me drejtorin e përgjithshëm të tatimeve, Ilir Binaj dhe drejtorin e përgjithshëm të doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua se task forca do të ketë në fokus rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve dhe duke mbrojtur kështu qytetarët shqiptarë.