Imazhe drithëruese nga një dron, duket se tregojnë momentin kur një mjet i blinduar rus, qëllon mbi një ciklist në Bucha. Imazhet nga qyteti pas tërheqjes së trupave të Vladimir Putinit, kanë tronditur botën, me trupat e civilëve të shtrirë në rrugë, pjesa më e madhe e të cilëve me duar të lidhura dhe shenja torturash. Trupi i një personi është filmuar i shtrirë në tokë, përkrah një biciklete në vendin ku edhe ciklisti u pa në videon më të fundit. Duke folur para kombeve të bashkuara, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se trupat ruse u kishin këputur gjuhën viktimave apo i kishin shtyrë ata nën tanke thjeshtë për kënaqësi, gjatë luftës. Ai po ashtu tha se ata kishin përdhunuar dhe masakruar nëna nën sytë e fëmijëve të tyre. Në videon më të fundit, ciklisti mund të shihet teksa përshkon rrugën, pa e ditur se pas kthesës gjendej autokolona e blinduar me shenjën Z, e fshehur pas shtëpive në të majtë. E ndërsa ai arrin pranë udhëkryqit, rusët qëllojnë dhe se cfarë ndodh me ciklistin nuk është menjëherë e qartë, sidoqoftë ai nuk shihet të lëvizë më pas kësaj.