Një rafineri kyçe nafte në Kuvajt është përfshirë nga flakët, pasi u godit nga disa dronë në orët e para të mëngjesit. Flakët shpërthyen në disa pjesë të kompleksit industrial, duke ngritur shqetësime për sigurinë e një prej pikave më të rëndësishme energjetike në rajon, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Bëhet fjalë për rafinerinë e portit Mina al-Ahmadi, një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme, me kapacitet për të përpunuar deri në 346 mijë fuçi naftë në ditë. Objekti është një nga tre rafineritë kryesore të Kuvajtit dhe ka një rol strategjik në prodhimin dhe eksportin e naftës. Sipas autoriteteve, kjo nuk është hera e parë që kjo pikë bëhet objektiv, pasi më herët gjatë konfliktit pesë-javor është goditur dy herë nga dronë të lidhur me Iranin. Ngjarja e fundit rrit tensionet në rajon dhe shton frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.