Komisioni Europian vlerëson fort progresin në reformën në drejtësi dhe rezultatet e SPAK-ut, por mbetet kritik për korrupsionin, presionet ndaj drejtësisë, lirinë e medias, polarizimin politik dhe cilësinë e procesit ligjvënës. Në raportin për Sundimin e Ligjit 2026, Komisioni evidenton progresin e Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e reformës në drejtësi, si pjesë e procesit të integrimit evropian. Në raport thuhet se “Pavarësia e gjyqësorit perceptohet më mirë se vitet e kaluara; Trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është përmirësuar; dhe se Është ulur pjesërisht stoku i dosjeve të prapambetura.” Ndërkohë specifikohet mungesa e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës në drejtësi. Mes shqetësimeve Komisioni evidenton presionin politik dhe sulmet publike ndaj SPAK-ut dhe magjistratëve. Ndërkohë vetë SPAK vlerësohet me nota pozitive pasi ka rritur luftën ndaj korrupsionit dhe konsiderohet si institucioni më i sukseshëm në vend pasi ka hetuar ministra, ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë. Ndërkohë problem sipas Komisonit për rrezik korrupsioni mbeten prokurimet publike, kadastra, dogana, tatimet por dhe vetë policia. Mes të tjerave në raport thihet se bashkëpunimi mes institucioneve mbetet ende i dobët. Një tregues pozitiv i progresit është edhe rritja e besimit të publikut te pavarësia e gjyqësorit. Sipas raportit, perceptimi pozitiv është rritur te qytetarët por e bizneset. Raporti nënvizon gjithashtu përmirësimin e ndjeshëm të efikasitetit të sistemit gjyqësor. Stoku i çështjeve në Gjykatën e Lartë është ulur me më shumë se 50%, nga rreth 30 mijë çështje në rreth 12 356, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një drejtësie më të shpejtë dhe më funksionale. Raporti vlerëson gjithashtu funksionimin efektiv të Gjykatës Kushtetuese, e cila vijon të garantojë kontrollin institucional dhe balancën ndërmjet pushteteve. Kurse sa i takon Parlamentit dhe Institucioneve, evidentohet se: Mbikëqyrja e Kuvendit mbi qeverinë është dobësuar. Po ashtu thuhet se “Refuzimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të një deputeti ngriti shqetësime për barazinë para ligjit dhe balancën e pushteteve.”