Familjet shqiptare vijojnë të tregohen të kujdesshme me shpenzimet, pavarësisht një përmirësimi të lehtë të besimit te ekonomia. Blerjet e mëdha, investimet për shtëpinë apo ndërrimi i makinës duket se mbeten vendime që qytetarët po i shtyjnë, në pritje të një situate më të favorshme ekonomike. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për muajin tetor tregon se besimi i konsumatorëve është përmirësuar, kryesisht sa i takon pritjeve për financat familjare dhe ekonominë në tërësi. Megjithatë, gatishmëria për të kryer blerje të mëdha mbetet e ulët, duke treguar se qytetarët ende hezitojnë të shpenzojnë. Edhe te bizneset situata paraqitet e ndryshme. Ndërtimi dhe tregtia kanë shfaqur më pak optimizëm, me vlerësime më të dobëta për aktivitetin dhe shitjet. Në të kundërt, industria dhe shërbimet kanë regjistruar përmirësim, veçanërisht sa i përket kërkesës dhe ecurisë së aktivitetit.