Prej të paktën tre vitesh, Shqipëria po humbet terren në garën rajonale për rritjen e pagave. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në vitin 2025 paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në rreth 84 mijë lekë, ose 860 euro, duke mbetur më e ulëta në rajon, përjashtuar Kosovën. Ndërkohë, vendet fqinje raportojnë paga dukshëm më të larta, nga 30% deri në 50% më shumë. Serbia kryeson me rreth 1290 euro në muaj, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 1245 euro dhe Mali i Zi me 1206 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistron rreth 1100 euro. Diferenca për punonjësit shqiptarë varion nga 240 deri në 430 euro më pak në muaj krahasuar me rajonin. Ekspertët theksojnë se rritja ekonomike në vend nuk po përkthehet në mirëqenie reale për qytetarët, pasi nuk mbështetet në rritje produktiviteti apo sektorë me vlerë të shtuar. Ndërkohë, rritje pagash kanë pësuar vetëm sektorët publikë, kryesisht administrata, ritëm i cili nuk është ndjekur aspak nga sektorët privat, i cili përbën dhe pjesën më të madhe të vendeve të punës në Shqipëri. Në një kohë që çmimet shfaqin një trend dukshëm në rritje, pagat mbetet në vend numëro, duke bërë që për disa vite radhazi të renditemi ndër të fundit në rajon në këtë aspekt.