Një patrullim i Policisë në lagjen “Guerrile” të Shkodrës ka përfunduar me të shtëna në ajër, arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të një tjetri. Gjatë orës 15:10 minuta të kësaj të hëne, shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti të ndalojë, ndërsa shoferi, i cili shoqërohej nga një tjetër person, nuk i është bindur urdhrit, ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar. Teksa policia u është vënë në ndjekje, pasagjeri që ndodhej në automjet ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe ka arritur të arratiset. Ndërkohë në pranga ka rënë shoferi i automjetit, ndërsa po vijojnë kërkimet intensive për kapjen e personit tjetër që qëlloi me armë zjarri. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.