Ministria e Drejtësisë ka shkuar përtej masës së pezullimit për drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cërloj pas arratisjes së Altin Ndocit nga ky institucion. Vendimi i shkarkimit është firmosur të mërkurën nga ministri, Besfort Lamallari. Veç shkarkimit të drejtorit, Lamallari ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë. Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve angazhim maksimal me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.