Shifra alarmante raportoi edhe këtë të premte Ministria e Shëndetësisë, sa i takon situatës nga pandemia në vend. Në 24 orët e fundit, 489 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, pas 1954 testimeve të kryera. Ndërsa 6 persona nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19 në spitalet e vendit. Numri i të shtruarve në spitale ka arritur në 350 persona. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 350 pacientë, 9 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 165 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 11,861 që nga fillimi i epidemisë.