Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Shkodrës, pasi dyshohen se kanë shfrytëzuar për marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, dy vajza të mitura, përkatësisht 16 dhe 14 vjeçe. Dy 19-vjeçarët, banues në fshatin Koplik i Sipërm u arrestuan pas një hetimi që zgjati disa javë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasve në momentin e ndalimit, njërit prej tyre iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar si kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Prokuroria e Shkodrës po zhvillon hetime për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitura”, “Prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Sakaq vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë.