Aksionet kontrolluese të Kinës në portin grek të Pireut, një nga më të mëdhenjtë në EUropë, nuk janë në shitje, tha ambasada kineze në Greqi, duke denoncuar komentet e ambasadores së sapoemëruar të SHBA-së në Greqi, Kimberly Ann Guilfoyle. COSCO shtetërore e Kinës, një nga konglomeratet më të mëdha të porteve dhe transportit detar në BOTË, zotëron 67 për qind të aksioneve në portin e Pireut, një qendër në rrugën tregtare që lidh Europën, Afrikën dhe Azinë. Ajo finalizoi blerjen në vitin 2016, në kulmin e krizës së borxhit të Greqisë. Administrata amerikane e Donald Trump po kërkon të dobësojë kontrollin e Kinës mbi portet globale dhe e ka reklamuar Greqinë si një qendër e energjisë amerikane në Europë. Në kuadër të këtyre politikave të SHBA, ambasadorja amerikane në Athinë deklaroi se ‘ndoshta Porti i Pireut është në shitje’.