Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë përshkallëzuar operacionet luftarake kundër Iranit, teksa në shënjestër janë tashmë edhe grupet mbështetëse të Teheranit në Liban. Izraeli paralajmëroi mijëra banorë në periferitë e Bejrutit që të largohen nga banesat e tyre. Paralajmërimi u shoqërua me bombardime ajrore që synuan bazat dhe vendstrehimet e udhëheqësve të grupit Hezbollah. Më në jug të Libanit, ushtria izraelite njoftoi nisjen e një ofensive tokësore me qëllim, siç tha në deklaratën zyrtare, zgjerimin e rripit të sigurisë për banorët në Izraelin verior, që është sulmuar këto ditë me raketa të hedhura nga Hezbollah. Ndërkohë, dy dronë iranianë kanë goditur ambasadën amerikane në Riad të Arabisë Saudite, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. SHBA urdhëroi largimin e stafit jo të domosdoshëm nga ambasadat edhe në Irak dhe Bahrein, pasi më herët kishte bërë të njëjtën gjë në Kuvajt. Presidenti amerikan, Donald Trump ka folur deri më tani për një operacion që mund të zgjasë deri në 4 javë. Ai ka mohuar zërat se rezervat amerikane me municione po shterojnë, duke deklaruar se sulmi do të vijojë edhe më furishëm nëse Irani vazhdon me kundërpërgjigjet.