Qytetarët shënuan pasditen e kësaj të hëne protestën e tyre të 6 radhazi, me kërkesa të karakterit ekonomik. Ndryshe nga një ditë më parë, protesta e ditës së parë të kësaj jave kishte më pak pjesëmarrës, ndoshta e ndikuar kjo edhe nga festa e ditës së verës. Qytetarët u nisën nga sheshi “Skënderbej” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me kërkesat e tyre tërësisht të karakterit ekonomik. Aktivistët e shoqërisë civile që morën fjalën në grumbullimin e qytetarëve të ndalur tek kryeministria kërkuan uljen e çmimit të naftës, duke vënë në dukje se shumica e familjeve jetojnë me minimumin jetik, e shumë të tjera edhe më pak se aq.