Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vënë në sekuestro prona, dyqane, vende parkimi, një vilë dhe disa makina luksoze në pronësi të 35-vjeçars Sanja Telhallari, me profesion notere. Prokuroria thotë se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, 35 vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare. Noterja, sipas prokurorisë, ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.