Rusia ka zbatuar menjëherë në frontin e luftës vendimin e saj për të mos lejuar trupat ukrainase të marrin në dorëzim dhe të përdorin armët perëndimore, një ndihmë kjo që Ukraina e ka kërkuar nga aleatët që nga nisja e konfliktit më 24 shkurt. Ministria e mbrojtjes ruse bën me dije se raketat e saj Kalibr shkatërruan mëngjesin e së mërkurës një depo në rajonin e Zaporizhzhia, e cila përmbante një sasi shumë të madhe armësh dhe municionesh për trupat ukrainase të siguruara nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera europiane. Sulmi erdhi menjëherë pas deklarave ku Rusia akuzoi Perëndimin se “po i hidhte benzinë zjarrit” duke furnizuar me armë Ukrainën.