Inflacioni në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë muajit shkurt, duke arritur në nivelin 2.5%, që është edhe shifra më e lartë e regjistruar në shtatë muajt e fundit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ky tregues është rritur nga 2.3% që ishte në muajin janar, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur inflacioni ishte 1.9%, vihet re një rritje më e ndjeshme e çmimeve. Për pasojë, sipas revistës Monitor, janë shtrenjtuar çmimet e qerave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve të tjera, me 5.3%. Pas këtij grupi renditen “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.3%, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4.2% dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 2.4%. Rritje janë shënuar gjithashtu edhe në çmimet e kujdesit personal, pijeve alkoolike dhe duhanit, mobilieve dhe pajisjeve shtëpiake, si dhe në shërbimet arsimore dhe ushqimet.